Komisioni Për Punën Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë miratoi ndryshimet në ligjin: “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”

  • Postuar më, 27/05/2020

Në drejtimin e kryetarit, z. Enver Roshi, Komisioni Për Punën Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë në mbledhjen e sotme zhvilluar online,në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, mori në shqyrtim projektligjin: “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr 9669,datë 18.12.2006, “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare” të ndryshuar.
E pranishme në komision ishte dhe znj. Bardhylka Kospiri, zëvendësministre në Ministrinë e Shëndetësisë.
Propozimet e ndryshimeve ligjore në komision i paraqiti, znj. Eglantina Gjermeni dhe znj. Klotilda Bushka, si pjesë të grupit nismëtar për këto ndryshime.
Znj. Bushka sqaroi përpara komisionit se nëpërmjet kësaj nisme ligjore synohet reduktimi i rasteve të dhunës në marrëdhëniet familjare në njësinë shtëpiake dhe mbrojtja e veçantë dhe pa diskriminim e çdo grupi që paraqet nevoja të veçanta mbrojtjeje, njëkohësisht parashikimi i masës së largimit nga banesa të dhunuesit dhe sanksionimi i masave rehabilituese ndaj dhunuesit, në rastet kur ky i fundit është person i alkooluzuar/droguar/probleme të shëndetit mendor
Nga ana e saj znj. Gjermeni theksoi se arritja e barazisë gjinore si dhe minimizimi i dhunës ndaj grave e vajzave si dhe dhunës në marrëdhëniet familjare përbëjnë një prioritet të rëndësishëm, të lidhura ngushtë me proçeset integruese të vendit.
Pas pyetjeve dhe diskutimeve nga anëtarët komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

 Mbledhja u zhvillua nëpërmjet platformës WEBEX


Share