Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, thirri mbledhjen e Grupit të Deputetëve “Miqtë e fëmijëve”

  • Postuar më, 27/05/2020

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, thirri sot mbledhjen e Grupit të Deputetëve “Miqtë e fëmijëve”. Në fillim të mbedhjes, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, mbajti një fjalë të shkurtër, në të cilën nënvizoi:

”Situata e pandemisë sigurisht që ndikoi edhe të fëmijët, edhe pse nga pikëpamja e rrezikshmërisë së jetës, koronavirusi ishte një kërcënim më i vogël për brezat e rinj, nga ana tjetër pasojat sociale, psikologjike, arsimore dhe ekonomike ishin shumë të mëdha për këtë pjesë të shoqërisë.
Zëvëndësimi i mësimdhënies dhe nxënies tradicionale me ato virtuale ishtë një sfidë e vërtetë për të gjithë si sistemin arsimor, mësuesit, familjet, por nga ky zëvëndësim i detyruar  më të dëmtuarit ishin nxënësit.
Me këtë rast, falenderoj të gjithë ata që kontribuan në mënyrë që nxënësit e shkollave të dëmtoheshin sa më pak nga ndryshimi i papritur i metodave të mësimdhënies e mësimnxënies, shkollat, mësuesit, radiotelevizionin shqiptar si edhe vetë nxënësit, të cilët u ndërgjegjësuan për këtë sfidë që imponoi pandemia.
Tashmë që Qeveria po përgatit masat e strategjisë së daljes nga situata e pandemisë, të gjithë, por në mënyrë të veçantë Kuvendi i Shqipërisë, duhet të bëjmë kujdes që masat dhe programet e daljes nga kjo situatë të jenë sa më strikte në mëyrë që të parandalojnë prekjen e fëmijëve  nxënësit e shkollave, studentët  e universiteteve dhe përgjithësisht sistemin arsimor si një investim kombëtar, shoqëror e kulturor afatgjatë.
Nga të gjithë sektorët ka mundësi të kursejmë dhe të rialokojmë, por mundësisht aspak nga arsimi dhe shëndetësia.
Pandemia na rikujtoi edhe njëherë se është një imperativ njerëzor, kombëtar dhe fisnik të konsiderosh si prioritete strategjikë afatgjatë të zhvillimit shëndetin dhe arsimimin e popullsisë.
Vlerësoj punën voluminoze dhe me intensitet që kanë bërë shkollat, mësuesit dhe të gjitha operatorët e përfshirë në këtë proces. Është një sfidë e vështirë, prej së cilës nxorrëm shumë mësime të vlefshme.
Vlerësoj kujdesin e veçantë që është treguar edhe nga Minsitria e Arsimit, shkollat dhe  mësuesit, por edhe nga sektori privat dhe fondacionet e ndryshme për kontributin e tyre në  lehtësimin e mësimit virtual për nxënësit e familjeve të varfëra e me nevoja të veçanta.
Por duhet të jemi më realist në vlerësime, në mënyrë që ta ndërtojmë punë sa më mirë dhe të dimë se çfarë kemi për të kompensuar në të ardhmen.
Unë sugjeroj që kur viti i ardhshëm shkollor të fillojë normalisht, Ministria e Arsimit, drejtorite arsimore, shkollat dhe mësuesit duhet të mbajnë parasysh mangësitë dhe pamjaftueshmërinë reale e praktike të shkaktuara nga mësimit virtual.
Për këtë arsye Ministria duhet të krijojë mundësi për të kompensuar njohuritë që nxënësit nuk i kanë marrë të plota.
Por më e rëndësishmja, të bëhet kujdes për të verifikuar nevojat e nxënësve për mjaft shprehi, të cilat krijohen nga prezenca dhe kontaktet në klasë dhe që nuk mund të transmetohen në mënyrë virtuale.
Vetëm, kështu do të kompensojmë mangësitë e natyrshme të mësimit virtual dhe të garantojmë mbështetje funksionale e produktive për fëmijët e familjeve të varfëra dhe me nevoja të veçanta.
Mbledhja shqyrtoi një informacion mbi ecurinë e mesimit në shkollat nëntëvjeçare  dhe të mesme dhe kujdesin specifik për nxënësit e familjeve në nevojë, të cilin e paraqiti Znj. Besa Shahini, Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Mbledhja  diskutoi  e miratoi Raportin Vjetor të Grupit të Deputeteve Miqtë e Fëmijëve për vitin 2019, kalendarin e punës për vitin 2020 si edhe një informacion mbi Zbatimin e Rezolutës “Për vlerësimin e punës së Grupit të Deputeteve Miqtë e Fëmijëve”.


Fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, në mbledhjen e Grupit të Deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”

Para se të fillojmë me shqyrtimin e çështjes së parë të rendit të ditës, dëshiroj të nënvizoj se pandemia e koronavirusit COVID19, për fat të mirë në Shqipëria pati pasoja minimale në humbjen e jetëve njerëzore.
Kjo ndodhi edhe si rezultat i masave të menjëhershme të marra nga Qeveria dhe ndjekja me rreptësinë e duhur dhe zbatimit të tyre nga mjekët, infermierët dhe gjithë shërbimi ynë spitalor e shëndetësor si edhe Policia e Shtetit.
Të gjithë i kam falenderuar dhe do t’i falenderoj sa herë të më jepet rasti.
Por ndodhi edhe si rezultat i ndërgjegjësimit të popullsisë, sidomos nga të moshuarve, të cilët i zbatuan pikë për pikë masat e urdhëruara nga aktet normative.
Situata e pandemisë sigurisht që ndikojë edhe të fëmijët, edhe pse nga pikëpamja e rrezikshmërisë së jetës, koronavirusi ishte një kërcënim më i vogël për brezat e rinj, nga ana tjetër pasojat sociale, psikologjike, arsimore dhe ekonomike ishin shumë të mëdha për këtë pjesë të shoqërisë.
Zëvëndësimi i mësimdhënies dhe nxënies tradicionale me mësimdhënien dhe nxënien  virtuale ishtë një sfidë e vërtetë për të gjithë si sistemin arsimor, mësuesit, familjet, por nga ky zëvëndësim i detyruar  më të dëmtuarit ishin nxënësit.
Një traditë e konsoliduar mijravjeçare u sfidua dhe u zëvëndësua nga një praktikë e re.
Që nga lindja e saj shkolla presupozon katër elemente: mësuesin, nxënësin, librin dhe klasën.
As Aristoteli që shpiku shkollën peripatetike, nuk e shmangu klasën, vetëm e zëvëndësoi atë me shëtitjen nën harqet e palestrës së shkollës.
Me këtë rast, unë dëshiroj të falenderoj të gjithë ata që kontribuan në mënyrë që nxënësit e shkollave të dëmtoheshin sa më pak nga ndryshimi i papritur i metodave të mësimdhënies e mësimnxënies, shkollat, mësuesit, radiotelevizionin shqiptar si edhe vetë nxënësit, të cilët u ndërgjegjësuan për këtë sfidë që imponoi pandemia.
Me këtë rast, të gjithë, por në mënyrë të veçantë fëmijët, u rikujtuan se sa e bukur është jeta, sa e gëzueshme është të jesh nxënës shkolle dhe sa e vlerëshme është jeta e lirë, pa kërcënimet e sëmundjeve dhe epidemive.
Tashmë që Qeveria po përgatit masat e strategjisë së daljes nga situata e pandemisë, të gjithë, por në mënyrë të veçantë Kuvendi i Shqipërisë, duhet të bëjmë kujdes që masat dhe programet e daljes nga kjo situatë të jenë sa më strikte në mëyrë që të parandalojnë prekjen e fëmijëve  nxënësit e shkollave, studentët  e universiteteve dhe përgjithësisht sistemin arsimor si një investim kombëtar, shoqëror e kulturor afatgjatë.
Nga të gjithë sektorët ka mundësi të kursejmë dhe të rialokojmë, por mundësisht aspak nga arsimi dhe shëndetësia.
Pandemia na rikujtoi edhe njëherë se është një imperativ njerëzor, kombëtar dhe fisnik të konsiderosh si prioritete strategjikë afatgjatë të zhvillimit shëndetin dhe arsimimin e popullsisë.
Pas përfundimit të fjalës së Ministres:

Ju faleminderit, znj. Ministre.
Tani fjala është për ju, anëtarët e Grupit, për pyetje dhe diskutime.
Vlerësoj punën voluminoze dhe me intensitet që kanë bërë shkollat, mësuesit dhe të gjitha operatorët e përfshirë në këtë proces. Është një sfidë e vështirë, prej së cilës nxorrëm shumë mësime të gjithë.
Vlerësoj kujdesin e veçantë që është treguar edhe nga Minsitria e Arsimit, shkollat dhe  mësuesit, por edhe nga sektori privat dhe fondacionet e ndryshme për kontributin e tyre në  lehtësimin e mësimit virtual për nxënësit e familjeve të varfëra e me nevoja të veçanta.Mësimi virtual ishte një sfidë e vërtetë për të gjithë.Por duhet të jemi më realist në vlerësime, në mënyrë që ta ndërtojmë punë sa më mirë dhe të dimë se çfarë kemi për të kompensuar në të ardhmen.Për shembull, më duket shumë e ekzagjeruar e dhëna që 99% e nxënësve janë përfshirë në komunikimin online.  Është pak e vështirë ta besjmë se vetëm 3500 fëmijë në tërë Shqipërinë nuk e kanë pasur këtë akses. Nuk është fjala të debatojmë për shifrat, por sa më realistë të jemi tani, aq më të dobishëm e produktivë do të jemi për fëmijët në muajt dhe vitin e ardhshëm akademik, për të kompensuar mangësitë e këtij procesi, për mjaft prej të cilave nuk mund të bëjmë me faj as mësuesit, as nxënësit, as Ministrinë.Unë sugjeroj që kur viti i ardhshëm shkollor të fillojë normalisht, Ministria e Arsimit, drejtorite arsimore, shkollat dhe mësuesit duhet të mbajnë parasysh mangësitë dhe pamjaftueshmërinë reale e praktike të shkaktuara nga mësimit virtual.Për këtë arsye Ministria duhet të krijoj mundësi për të kompensuar njohuritë që nxënësit nuk i kanë marrë të plota.
Por më e rëndësishmja, të bëhet kujdes për të verifikuar nevojat e nxënësve për mjaft shprehi, të cilat krijohen nga prezenca dhe kontaktet në klasë dhe që nuk mund të transmetohen në mënyrë virtuale.
Vetëm, kështu do të kompensojmë mangësitë e natyrshme të mësimit virtual dhe të garantojmë mbështetje funksionale e produktive për fëmijët e familjeve të varfëra dhe me nevoja të veçanta.”


Share