Komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi huanë 139.3 milionë SDR

  • Postuar më, 26/05/2020

S

Komisioni për Ekonominë dhe Financat, në drejtimin e kryetares, znj. Milva Ekonomi, shqyrtoi në mbledhjen e sotme virtuale projektligjin “Për miratimin e huamarrjes prej 139 300 000 SDR-sh që Fondi Monetar Ndërkombëtar i akordon Shqipërisë nëpërmjet instrumentit të financimit të shpejtë (RFI)”. E pranishme në komision për paraqitjen e projektligjit ishte ministrja e Financave dhe Ekonomisë znj. Anila Denaj. 

Znj. Denaj bëri me dije për komisionin, që objektivi i përgjithshëm i kësaj huaje, afërsisht 190.4 milionë dollarëshe, është sigurimi i një pjese të nevojave për financim të buxhetit të shtetit për vitin 2020, që lidhen me nevojat e shtuara jashtë parashikimeve fillestare, për shkak të goditjes nga COVID-19. Si argumente mbështetëse të këtij vendimi, znj. Denaj listoi formën e shpejtë të sigurimit të parave të nevojshme, të siguruarit të kësaj huaje në  një monedhë të fortë (SDR- special drawning rights), dhe marrjen e kësaj huaje nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, gjë që sipas saj jep mundësi për krijimin e një linje mbrojtjeje të financave publike e të ekonomisë, në rast risqesh të tjera në përiudhën në vijim. Znj. Denaj shprehu falënderimet e saj për institucionet ndërkombëtare, FMN-në dhe KE-në, për një instrument të ngjashëm me financimin e shpejtë. Ministrja e Financave njoftoi komisionin se në fund të qershorit po mendohet një akt të tretë të rishikimit të buxhetit, që mund ta zgjerojë deficitin buxhetor. Ministrja Denaj sqaroi se norma e interesit të kësaj huaje është 4.05% dhe afati i maturimit 3.5-5 vjet. 

Komisioni, pas pyetjeve dhe diskutimeve të deputetëve, e miratoi këtë projektligj. Mbledhja u zhvillua përmes platformës Cisco Webex.


Share