Komisioni për Sigurinë Kombëtare seancë dëgjimore me Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve

  • Postuar më, 22/05/2020

Në drejtimin e kryetares, znj. Ermonela Felaj, Komisioni për Sigurinë Kombëtare në mbledhjen e sotme të radhës, online, zhvilloi një seancë  dëgjimore me Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve,  z. Agim Ismaili.
Dëgjesa e sotme me Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve,  kishte të bënte  me informimin  për situatën në burgje, gjatë  situatës  së  pandemisë si dhe masat e marra në zbatim të aktit normativ me fuqinë e ligjit Nr 7 datë 23.03.2020 “Për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi të të dënuarve”
Lidhur me këto masa,  në fjalën e tij z.Ismaili, i  vlerësoi ato si efikase dhe të sukseshme , pavarësisht vështirësisë për menaxhimin e situatës, për shkak të mënyrës së bashkëjetësës  në ambjentet e burgut.
“Në lidhje me aktin normativ nr 7 datë 23.03. 2020 për qëndrimin e përkohshëm  në shtëpi të të burgosurve, kriteret ishin qartësisht të përcaktuara, të  ndara  dy kategori: ato që kishin të bënin me kohën e mbetur të dënimit dhe veprën penale për të cilën  janë dënuar. Nga përllogaritjet tona këto kritere i plotësonin rreth 570 të dënuar”  theksoi z.Ismaili në fjalën e tij.
Në vijim z.Ismaili iu përgjigj pyetjeve të shumta  dhe interesimit të anëtarëve të komisionit lidhur me procesin e shoqërimit të të burgosurve në banesa, kthimin më pas në ambjentet e burgut, bashkëpunimin me Policinë e Shtetit, masave të marra për dezinfektimin e ambjenteve si dhe problematika të tjera të krijuara gjatë situatës së pandemisë në burgje.

 Mbledhja u zhvillua nëpërmjet platformës WEBEX


Share