Zhvillohet mbledhja e përbashkët konsultative me shoqërinë civile për Planin Strategjik të Kuvendit të Shqipërisë

  • Postuar më, 20/05/2020

Në vijim të punës për hartimin e të parit Plan Strategjik, Kuvendi i Shqipërisë në bashkëpunim me OSBE-në në kuadër të projektit “Për mbështetjen e Parlamentit dhe Edukimin Qytetar” (PACEP), që mbështetet nga qeveria zvicerane nëpërmjet ambasadës së saj, zhvilloi sot virtualisht mbledhjen e përbashkët konsultative me perfaqësues të shoqërisë civile. 


Takimi u hap nga sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, z. Genc Gjonçaj, i cili u shpreh se takimi me shoqërinë civile është një nga më të rëndësishmit, si pjesë e konsultimit publik, që do të vijohet me mbledhje të tjera të përbashkëta me ish-deputetë, mediat si edhe me institucionet e pavarura. Z. Gjonçaj shprehu bindjen se konsultimi sa më i gjerë i këtij projekti do të reflektohet edhe në cilësinë e tij dhe pasi i falënderoi pjesëmarrësit për kontributin e ofruar, u tregua i gatshëm për të mirëpritur sugjerime të tjera.


Gjithashtu ky takim u pershendet edhe nga znj. Sihana Nebiu Shefe Departamentit te Demokratizimit, Prezenca e OSBE-se ne Shqiperi.


Takimi vijoi me prezantimin e draftit te Planit Strategjik të hartuar nga grupi i punës së ngritur për këtë çështje, në bashkëpunim me ekspertët e OSCE. 


Prezantimi u fokusua në dy pjesë, ku në njerën syresh u prezantua procesi i planifikimit dhe në tjetrën përmbajtja e planit strategjik. Në draftin e paraqitur për aktorët e shoqërisë civile ishte kryer analiza e punës së institucionit në të kaluarën e tij, ishte kryer vlerësimi i analizave të institucionit, ishte zhvilluar deklarata e vizionit dhe misionit, e më pas analiza e mjedisit veprues institucional, ishin identifikuar fushat prioritare, e më pas ishin hartuar qëllimet dhe objektivat strategjike për fushat prioritare, dhe planet vjetore të veprimit për zbatimin e Planit Strategjik. Më tej u prezantuan 4 fushat prioritare të dokumentit strategjik: 1. Efektiviteti i ushtrimit të funksioneve përfaqësuese, legjislative dhe mbikëqyrëse; 2. Roli i Kuvendit në proceset integruese dhe diplomacinë parlamentare; 3. Transparenca, pjesëmarrja dhe edukimi qytetar në veprimtarinë e Kuvendit; 4. Kuadri rregullator, burimet njerëzore dhe infrastruktura e Kuvendit. Për secilën nga fushat prioritare u vijua me prezantimin e qëllimeve strategjike dhe objektivat për t’u arritur.


Në përfundim të prezantimit, znj. Erida Skendaj nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, znj. Ariola Agolli nga Partners Albania, z. Erjon Tase nga Akademia e Studimeve Politike, z. Afrim Krasniqi nga Instituti i Studimeve Politike dhe z. Milaim Demnushaj nga Organizata “Të ndryshëm dhe të barabartë”, si edhe përfaqësuesja IECA për edukimin ligjor, dhanë komentet dhe sugjerimet e tyre për t’u reflektuar në dokumentin strategjik. Disa përfaqësues të tjerë të shoqërisë civile, patën dhënë më parë me shkrim kontributin e tyre në platformë. Konsultimi publik i planit strategjik do të vijojë me takime të tjera të rëndësishme.


Share